Real Madrid ka hedhur pas krahëve humbjen në derbi dhe është rikthyer menjëherë në serinë e fitoreve. Të mërkurën mbrëma, Los Blancos triumfuan 2-0 ndaj Las Palmas në shtëpi, ndeshje e vlefshme për javën e 7-të të La Ligas.
Pavarësisht se rastet nuk po mungonin, goli i parë do të vinte në minutën e 3-të të shtesës në pjesën e parë, atëherë kur Brahim Diaz dërgoi topin në rrjetë. Pasi përgjatë këtij sezoni kishte luajtur vetëm 84 minuta në total, në një sfidë të tillë, fantazistit iu besua vendi i titullarit dhe ai arriti ta shpërblente me gol trajnerin Carlo Ançelotti.
Nga goli i fundit që Diaz kishte shënuar me Realin, kishin kaluar plot 1344 ditë, kur në 22 Janar të 2020-tës, realizonte në Copa del Rey ndaj Salamancas. Duke marrë parasysh këtu aventurën e sezoneve të fundit që lojtarit me fanellën e Milanit në Serie A, Diaz është rikthyer të shënojë sërish për Realin, pas plot 3 viteve, 8 muajsh e 6 ditësh.
Për të festuar golin e dytë, “Bernabeu” duhet të priste minutën e 54, kur Joselu, i asistuar nga Rodrygo, gjuajti saktë me kokë. Sa i përket Rodrygos, braziliani vazhdon të jetë i frustruar përpara portës. Braziliani ka plot 7 ndeshje pa shënuar, kurse gjatë kësaj kohe, në total, ka gjuajtur 32 herë në drejtim të portës, pa mundur të festojë dot një gol.
Megjithatë, kjo nuk është ecuria më negative e Rodrygos pa gjetur golin. Në periudhën Shkurt-Mars të 2023-shit, sulmuesi i Realit shkoi plot 9 takime njëra pas tjetrës pa realizuar qoftë edhe një gol.
Në krahun tjetër, nuk mund të thuhet se Las Palmas kishte ardhur për shëtitje në “Santiago Bernabeu”. Skuadra mike, arriti të ndërtonte plot 16 raste për gol, nga të cilat, gjuajtne në drejtim të portës u konkretizuan vetëm dy. Kishin kaluar plot 44 ndeshje me radhë që një skuadër nuk krijonte kaq shumë tentative në portën e Real Madrid në “Santiago Bernabeu”. Një gjë të tillë e kishte bërë Chelsea në 2022-shin në çerekfinalen e UEFA Champions League.
Gjithësesi, me këtë fitore, Real Madrid ka shkuar në kuotën e 18 pikëve, një më tepër sesa Barcelona e vendit të 3-të, ndërsa në vend të parë klasifikohet një skuadër surprizë e këtij sezoni në La Liga, Girona. Skuadra modeste katalanase, numëron 19 pikë, teksa në duelin e javës së 7-të, fitoi 2-1 në transfertën e Villarreal. Kjo ecuri është padyshim historike për këtë ekip. Mjafton të përmendim këtu që pas vitit 1953, Girona është skuadra e vetme katalanase që pas 7 javëve, kryeson e vetme tabelën e klasifikimit në kampionatin spanjoll.