Real Madrid pritet të përfshihet nga një valë largimesh në merkaton e verës

Sport

Janë plot 6 lojtarë, të cilët mund të divorcohen me Los Blancos vetëm pas disa muajsh. Konkretisht fjala është për Gareth Bale, Eden Hazard, Luka Joviç, Marcelo, Isco dhe Mariano Diaz.

Largimi i tyre, do i mundësonte klubit për të krijuar hapësira të tjera në brendësi, në mënyrë që të hapet rruga për afrimin e yjeve të rinj në ekip. Prej kohësh flitet që 13 herë kampionët e Europës, këtë verë mund të transferojnë dy nga lojtarët më të komentuar të momentit, sikurse janë Kylian Mbappe dhe Erling Haaland.

Për këtë arsye, largimi i futbollistëve të sipërpërmendur, veç të tjerash, do të lehtësonte edhe aspektin financiar në radhët e klubit.

Të 6 lojtarët së bashku, në total, paguhen afërsisht 110 mln euro në vit. Kjo do të thotë se largimi i tyre do lehtësonte në mënyrë të konsiderueshme ngërçin financiar të klubit spanjoll.

Teksa Bale, Isco dhe Marcelo, në fund të sezonit mbeten pa kontratë, disi më problematike është situata për Hazard, Joviç dhe Mariano, të cilët janë të lidhur me Realin edhe për disa vite të tjera. Në këto kushte, mediat ndërkombëtare raportojnë se Reali do kërkojë shitjen e tyre. Disi më e vështirë duket situata për Eden Hazard.

Belgu ka një kontratë me klubin deri në vitin 2024, mirëpo është i vendosur që të luftojë deri në fund për një vend në formacionin titullar dhe nuk do dorëzohet për t’ia arritur këtij qëllimi. Megjithatë, dëmtimet e njëpasnjëshme të belgut, nuk i japin shumë shpresë drejtuesve të Los Blancos, që gjithësesi, edhe nëse nuk e shesin, do kërkojnë huazimin në një tjetër klub për Eden Hazard.