Real Madrid pranë rinovimit të kontratës me një futbollist

Sport

Eduardo Camavinga pritet të rinovojë kontratën me Real Madrid. I afruar në “Santiago Bernabeu” në verën e 2021-shit për vlerën e rreth 40 milionë eurove, mesfushori spikati menjëherë me aftësitë e tij, ndonëse ndante të njëtin rol me Luka Modriç, apo edhe Toni Kroos, mentorët e mesfushës madrilène.

Thënë këtë, fillimet e francezit në kryeqytetin spanjoll ishin të vështirë dhe aktivizimi ishte me pikatore, teksa shumicën e ndeshjeve i niste nga stoli.

Megjithatë, këtë sezon, situata ka ndryshuar. Camavinga ka fituar vendin e titullarit në formacionin e trajnerit Carlo Ançelotti dhe performancat kanë qenë të kënaqshme. Ndonëse është vetëm 20 vjeç, djaloshi i lindur në Congo, luan sikur të jetë një futbollist me eksperiencë të gjatë.

Kontrata aktuale e 20 vjeçarit është e vlefshme deri në verën e 2027-tës, por duke marrë parasysh progresin e lojtarit, Real Madrid, është gati që ta “blindojë” mesfushorin në “Santiago Bernabeu”. Sikurse bëjne me dije mediat e huaja, marrëveshja do të përditësohet me një vit, deri në verën e 2028-tës, por rëndësi më e madhe do t’i kushtohet termave financiarë dhe klauzolës së futbollistit.

Aktualisht, Camavinga përfiton 4 milionë euro në sezon me 35 herë kampionët e Spanjës, ndërsa me rinovimin e kontratës, klauzola e tij, nga 700 milionë euro, parashikohet të shkojë në 1 miliard euro, duke ia bërë thuajse të pamundur ç’do klubi për të pretenduar shërbimet e tij.

Në total, Camavinga ka luajtur 107 ndeshje me fanellën e bardhë, ka shënuar 2 gola dhe ka asistuar 4 herë për shokët e skuadrës. Ndonëse 20 vjeç, Camavinga, tashmë ka fituar çdo trofe të mundshëm në nivel klubesh me Real Madrid.