Real Madrid planifikon të ardhmen, Erling Haaland pjesë e listës

Sport

Real Madrid po planifikon një të ardhme me Erling Haaland. Pavarësisht se janë kampionë dhe superkampionë të Europës, kampionë dhe superkampionë të Spanjë, Los Blancos duan të mbeten dominues.

Organika aktuale e merengez është mjaft e pasur me elementë si Valverde, Rodrygo, Militao, Tchouameni, Camavingo, apo edhe Vinicius, të cilët janë në një moshë relativisht të re dhe garantues të së ardhmes. Mirëpo sipas drejtuesve të klubit, ekipi ka ende nevojë të përmirësohet.

Sikurse raportojnë mediat spanjolle, Real Madrid synon të transferojë dy lojtarë të Manchester Cityt. Si fillim, 14 herë kampionët e Champions League duan që sigurojnë shërbimet e Joao Cancelo. Për portugezin pritet të nisë sulmi që në verën e ardhshme. 28 vjeçari konsiderohet si pasuesi ideal i Dani Carvajal në “Santiago Bernabeu”, ndërsa operacioni i të cilit mund të kompletohet për rreth 50 mln euro.

Ndërsa transferimi i Erling Haaland do synohet pas dy sezonesh. Në kontratën e nënshkruar me Manchester Cityn, Haaland ka një klauzolë prej 180 mln eurosh që aktivizohet në verën e 2024-tës. Ndoshta blerja e shtatlartit norvegjez mund të duket e pamundur në pamje të parë, mirëpo edhe City arriti t’i siguronte shërbimet e tij, pikërisht duke paguar klauzolën prej 60 mln euro në radhët e Dortmundit.

Në Madrid, besojnë se pas dy sezonesh, Haaland do ketë arritur pjekurinë e duhur për t’u bërë lider i skuadrës dhe pasardhësi ideal i Karim Benzema.