Real Madrid përqëndrohet tek Van de Beek, sfumohet pista ‘Pogba’

Sport

Transferimi i Paul Pogba nga Manchester United është bërë një mision thuajse i pamundur për Real Madrid. Merkato në hyrje në Angli është mbyllur dhe vështirë se ‘djajtë e kuq’ do të lejojnë francezin të largohet, pa patur një emër të denjë për ta zëvendësuar. Kështu Reali ka kthyer të gjithë vëmendjen tek talenti i Ajaksit, Donny van de Beek. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, ‘los blancos’ mendojnë se 22-vjeçari është elementi i duhur për t’u bashkuar me organikën që ka në dispozicion Zinedine Zidane. Kjo, edhe prej faktit se Van de Beek mund të luajë edhe në sulm, ku mund të marrë rolin e Marco Asensios të dëmtuar. Transferimi i lojtarit holandez mund të kërkojë që ‘los blancos’ të shpenzojnë më shumë se 60 milionë euro për firmën dhe kontratën e lojtarit, por në një verë revolucioni, kjo shifër nuk duket problem për presidentin Florentino Perez. Tek Ajaksi ndërkohë shpresojnë shumë që lojtari të qëndrojë, të paktën edhe për një vit tjetër.

Trajneri Erik ten Hag e sheh Van de Beek si ndër lojtarët më të mirë të ‘harkëtarëve’ dhe largimi i tij, pas atyre të De Jong, De Ligt dhe Lasse Schone, do të ishte një tjetër goditje për kampionët e Holandës. Mediat raportojnë gjithashtu se burime pranë lojtarit konfirmojnë dëshirën e tij për ta bërë realitet një transferim të tillë. Van de Beek ndihet entuziast prej faktit se do të luajë përkrah emrave si Luka Modric, Eden Hazard dhe Toni Kroos, nga të cilët lojtari është i bindur se mund të mësojë shumë për të ardhmen, me dëshirën për t’i pasuar si lider i mësfushës së Real Madrid.