Real Madrid përgenjështron trajnerin Carlo Ançelotti. Tekniku italian u shpreh se 15 herë kampionët e Europës nuk do të marrin pjesë në Botërorin e Klubeve në vitin e ardhshëm, me pretekstin se UEFA do të shpërndajë vetëm 20 milionë euro për fituesin, çka është një vlerë shumë e vogël të ardhurash, në krahasim me atë që mund të gjenerohet përgjatë të gjithë turneut.
Megjithatë, deklarata e Ançelottit, u hodh menjëherë poshtë nga klubi madrilen, që me anë të një komunikimi në kanalin zyrtar ka bërë me dije se Real Madrid do të jetë pjesëmarrës në Botërorin e Klubeve dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim.
“Real Madrid komunikon se pa asnjë diskutim që do të marrë pjesë në Kupën e Botës për klube në sezonin 2024/25. Ashtu sikurse pritet, klubi ynë do të konkurojë në këtë kompeticion zyrtar me krenari, për të bërë krenarë miliona tifozë në të gjithë botën, me shpresën për të fituar një trofe të ri”, thuhet në deklaratën e 15 herë kampionëve të Europës.
Duke nisur që nga vera e ardhshme, Botërori i Klubeve do të zhvillohet nga 15 Qershori, deri në 13 Korrik, ku pjesëmarrëse do të jenë 32 skuadra.