Martin Odegaard duket se do të jetë lojtari i radhës që do t’i largohet Realit të Madridit. Norvegjezi, i lakuar shpesh si një nga talentet më të mëdha të futbollit skandinav, nuk është përfshirë në listën e 29 lojtarëve që Julen Lopetegui ka grumbulluar për Super-Kupën e Evropës kundër Atleticos së Madridit. Gazeta AS ishte një nga ato që e analizoi me më shumë detaje këtë situatë. 19-vjecari i cili është nën kontratë me Los Blancos që prej vitit 2015-të, u rikthye më 30 qershor pas një huazimi te Heerenveeni. Megjithëse ka qenë pjesë e grupit që kreu fazën përgatitore, Odengaard nuk ishte në listën e Super-Kupës.
Në këtë listë figurojnë të 5 portierët, Keylor Navas, Kiko Casilla, Luca Zidane, Lunin dhe Courtois. Po kështu bëjnë pjesë edhe lojtarë si Vallejo apo Odriozola, të cilët janë të lënduar. Sipas gazetës AS kjo është shenjë e hapur se Odengaard nuk bën pjesë në planet e Lopeteguit dhe për këtë ai pritet të largohet. Si alternativa përfliten dy klube nga kategoria e dytë në futbollin anglez. Aston Villa dhe Derby Country në Championship, kanë paraqitur interes konkret ndërsa agjenti i Odengaard qe shprehur në korrik se çdo gjë do të vendoset në fund të fazës përgatitore. Kështu pas Theo Hernandez, një tjetër lojtar me pritshmëri të larta, por që rezultoi krejt tjetër gjë, mund të largohet nga Bernabeu.