Real Madrid nuk po punon për një zëvendësues të Karim Benzema

Sport

“Real Madrid nuk po punon për një zëvendësues të Karim Benzema. Ndonëse 35 vjeç, klubi ka besim në formën e francezit dhe nuk është duke u nxituar për të sjellë një pasues të tij në “Santiago Bernabeu”.”

Këto janë fjalët e trajnerit të skuadrës, Carlo Ançelotti, i cili, problemin e skuadrës, në dy edicionet e fundit, nuk e shikon në repartin e avancuar, por tjetërkund.

Sipas numrit një të stolit të Los Blancos, sulmi ka funksionuar mirë. Nëse nuk ka shënuar Benzema, atëherë Vinicius ka qenë aty. Rodrygo gjithashtu, apo edhe Marco Asensio. Sipas 4 herë fituesit të Champions League, ai ka lënë të kuptohet se Real Madrid ka shfaqur paqëndrueshmëri në repartin mbrojtës, aty ku është dashur të kryhen ndërhyrje në merkato.

Për t’u rikthyer tek Benzema, fituesi në fuqi i Topit të Artë, është në muajt e fundit të kontratës së tij me Realin. Megjithatë, ndonëse zyrtarisht nuk është konfirmuar asgjë, mediat pranë klubit madrilen, por jo vetëm, bëjnë me dije se sulmuesi ka rinovuar edhe për një tjetër sezon. Në verën e 2024-tës, francezi pritet të largohet nga “Santiago Bernabeu”, atëherë kur do të jetë 36 vjeç.

Nisur nga kjo panoramë, për sa kohë që Benzema të jetë në qarkullim, duket e vështirë që Reali të kërkojë një sulmues tjetër. Thënë ndryshe, kampionët në fuqi të Europës, mund ta bëjnë diçka të tillë në verën e 2024-tës, teksa këtë verë, mund të synojnë të përforcohen në të tjera reparte.