Girona turpëron Realin e Madridit në javën e 31 të kampionatit. Skuadra me bazë në katalonjë, fitoi në shtëpi me rezultatin 4-2 ndaj ekipit madrilen. Të 4 golat e Gironas, u shënuan nga një personazh i vetëm, nga sulmuesi Valentin Castellanos, për të cilin rezultoi të ishte një pasdite historike në aspektin personal.
Me pokerin ndaj Realit, argjentinasi u bë lojtari i parë i La Ligas në shekullin e 21 që shënon 4 gola ndaj Los Blancos. Castellanos u bë gjithashtu vetëm lojtari i 5-të në 10 vitet e fundit që shënon së paku 3 gola ndaj kampionëve në fuqi të Spanjës.
Nuk mbyllet këtu. Girona ka fituar 50% të ndeshjeve të luajtura ndaj Real Madrid, duke u bërë kësisoj skuadra me përqindjen më të lartë të fitoreve ndaj Los Blancos, në gjithë historinë e La Ligas. Në 6 ndeshje të luajtura kundër tyre, bardhekuqtë kanë 3 fitore, 2 humbje dhe 1 barazim.
Në krahun e skuadrës së drejtuar nga Carlo Ançelotti, i vetmi që mund të ndihet i justifikuar për humbjen, është Vinicius Junior, i cili edhe një herë tjetër, ishte lojtari më i rrezikshëm në fushë për skuadrën e tij. Në 7 ndeshjet e fundit, braziliani është përfshirë të paktën në një gol në secilën prej tyre. Kjo është ecuria më e mirë e anësorit të sulmit përgjatë karrierës së tij me fanellën e bardhë.
Gjithashtu, ndaj Gironas, Vinicius tentoi gjithësej 25 driblime, prej të cilave kompletoi 8. Asnjë lojtar i La Ligas nuk kishte mundur ta bënte një gjë të tillë që nga sezoni i largët 2005/06.
Në përfundim të ndeshjes, trajneri i Realit, Carlo Ançelotti u ka kërkuar falje tifozëve për performancën e dobët dhe ka premtuar se skuadra do të rikthehet sërish në nivelin që duhet të jetë.