Komplikohet më tej çështja Modric në Bernabeu. Kroati, lojtari më i mirë i botërorit Rusi 2018-të dhe një kandidat serioz për Topin e Artë, raportohet t’i ketë komunikuar krahut të djathtë të Presidentit Perez, Jose Angel Sanchezit, dëshirën për t’u larguar. Mediat në itali e bëjnë fakt të sigurt se 32-vjeçari ka zgjedhur Interin për të ardhmen e tij. Nga Sportmediaset thuhet se grupi kinez Suning i ka premtuar një fund-karriere të majme me një përvojë në lindjen e largët dhe ndërkohë një kontratë 4-vjeçare me Interin që do ta paguajë me 10 milionë euro në sezon. Në Bernabeu thuhet se Perez i ka lënë shteg të hapur një ripërtëritjeje kontrate me kroatin. Shtypi spanjoll thotë se në tavolinë Modric ka një ripërtëritje me 12 milionë euro pagë. Por nënkampioni i botës ka kërkuar një takim kokë-më-kokë me Presidentin, takim që do të kryhet të premten. Në ditët e kaluara qe raportuar shumë për këtë çështje, por që Perez e pati thënë hapur se nuk ka asnjë mënyrë që Modric të largohet, veçse duke paguar 700 milionë eurot e klauzolës së tij. Sidoqoftë rasti Ronaldo, i cili u largua te Juventusi për shumë më pak se 1 miliardë, sikurse kishte në kontratë, është kthyer në precedent. Jose Angel Sanchez, ka deklaruar për mediat se klubi madrilen nuk ka asnjë synim që ta largojë mesfushorin më të mirë të saj, kjo në një kohë kur edhe Mateo Kovacic është drejt një largimi.