Real Madrid merr kreun e kampionatit spanjoll. Në javën e 20 të La Ligas, Los Blancos mundën në shtëpi skuadrën e Las Palmas me rezultatin 4-1. Fitore që në fakt, erdhi me përmbysje për kampionët në fuqi të Spanjës, të cilët e panë veten në disavantazh pas vetëm 28 sekondash lojë. Ky ishte goli më i shpejtë i pësuar nga Real Madrid në të gjitha kompeticionet që nga viti 2011, atëherë kur pas vetëm 11 sekonda e pësonte nga Rayo Vallecano. Megjithatë, Real reagoi. Në të 18-tën, Kylian Mbappe barazoi rezultatin nga pika e bardhë e penalltisë. Në të 33-tën, Brahim Diaz përmbysi rezultatin, kurse vetëm 180 sekonda më vonë, Mbappe realizoi të dytin personal. Në pjesën e dytë, për të zotët e shtëpisë, shënoi edhe Rodrygo, i cili kompletoi kësisoi edhe performancën e tij pozitive. Kjo ndeshje ishte e një rëndësie të veçantë edhe për trajnerin Carlo Ançelotti, i cili u bë trajneri i 22 në historinë e La Ligas që arrin në kuotën e 150 fitoreve në kampionatin spanjoll dhe i dyti në historinë e Real Madrid. Përpara tij në këtë drejtim në klubin spanjoll, qëndron vetëm Miguel Munoz, me 257 fitore. Falë trepikëshit ndaj Las Palmas, Real Madrid është ngjitur në krye të tabelës, në kuotën e 46 pikëve, 2 me tepër sesa Atletico Madrid dhe 7 më shumë sesa Barcelona e vendit të tretë. Loa Blancos, kanë përfituar pikërisht nga ndalesët e kundërshtarëve në javën e 20. Rojiblancos u mundën 1-0 në fushën e Leganes, kurse katalanasit ngecën 1-1 në fushën e Getafes.