Real Madrid me problem madhor për ndeshjen e kthimit ndaj Manchester City

Sport

Në prag të përballjes me Manchester Cityn në fazën play-off të UCL, Real Madrid ka udhëtuar drejt Anglisë me një sërë problemesh, por kartonët e verdhë janë një shqetësim më vete për 15 herë kampionët e Europës. Trajneri Carlo Ançelotti duhet të bëjë pa Antonio Rudiger dhe David Alaban në qendër të prapavijës, pa shtuar këtu edhe Eder Militaon, apo Dani Carvajal të dëmtuar më herët dhe që kanë mbyllur sezonin. Gjithashtu, në dispozicion për Los Blancos nuk do të jetë as Lucas Vaszuez, i cili ka pësuar gjithashtu një dëmtim muskulor pas derbit të Madridit ndaj Atleticos dhe si pasojë, do të mungojë nga 2 deri në 3 javë.

Por, përveçse duhet të gjejë një formulë për të luajtur ndaj Cityt në ndeshjen e parë, Ançelotti, ka gjithashtu arsye madhore të ndihet i shqetësuar edhe për ndeshjen e kthimit në Santiago Bernabeu. Dëmtimet në mbrojtje pritet të jenë të njëjtat, por Reali rrezikon shumë edhe për çështjen e kartonëve të verdhë.

Jude Bellingham, Eduardo Camavinga, Aurelien Tchouameni, Luka Modric, apo Endrick, të gjithë rrezikojnë, çka do të thotë që nëse ndonjë prej tyre ndëshkohet me të verdhë të Martën mbrëma ndaj Cityt, atëherë do të mungojë ndeshjen e kthimit në Madrid. Që të gjithë lojtarët e sipërpërmendur janë mjaft të rëndësishëm për Realin, sidomos në situatën aktuale, ku ndihma e gjithësecilit është mëse e vlefshme për skuadrën spanjolle.

Manchester City vs Real Madrid, do të sfidohen për të tretën herë radhazi në UEFA Champions League. Në dy të mëparshmet, secila skuadër ka mundur të kualifikohet nga një herë dhe në fund ka arritur të fitojë titullin e lavdishëm të Champions League.