Te Reali i Madridit janë të gjithë në lëvizje për të shpëtuar sezonin, kështu të paktën raporton gazeta spanjolle Marca. Sipas saj kampionati tanimë është i humbur dhe objektivi i vetëm është Champions League-a. Për këtë Florentino Perez ka kohë 30 ditë për të ndërhyrë në merkato për të afruar elementë cilësorë, ndërsa Zidane edhe 20 ditë më shumë, për të rifituar formën e humbur. Në muajin shkurt Los Blancos përballen me PSG, rivalë të cilët konsiderohen si ndër më të fortët në Evropë. Marca shkruan se merkatoja e verës rezultoi të ishte me plot dështime, ndërsa treshja e sulmit BBC nuk nxjerr më skuadrën nga situata. Në këtë pjesë tifozët fajësojnë formën dëshpëruese të Karim Benzemas. Francezi në fakt kuotohet si i pari që mund të largohet që në janar, ndërsa Zidane thuhet se ka si prioritet angazhimin e një mbrojtësi. Humbja me Barcelonën në Bernabeu, i ka shtyrë tifozët të kërkojnë menjëherë ndryshime nga drejtuesit. Florentino Perez dhe Jose Angel Sanchez, thuhet se kanë nisur menjëherë shqyrtimet e alternativave. Megjithëse pak ditë më parë u tha hapur se Zidane është njeriu i tyre, sipas Marcas, tanimë me 14 pikë distancë nga Barça në kampionat, një eliminim përballë PSG në Champions League, do të ishte fatal edhe për “të përzgjedhurin” e bordit, njeriun e suksesit më historik të klubit, atë që në 2017-ën solli 5 trofe në Madrid.