Real Madrid kualifikohet në një tjetër finale

Sport

Real Madrid kualifikohet në finalen e Superkupës së Spanjës, që ashtu sikurse ka ndodhur në edicionet e fundit, edhe këtë herë po zhvillohet në Arabinë Saudite. Në gjysmëfinale, Los Blancos triumfuan 4-3 me penallti ndaj Valencias.

Koha e rregullt dhe ajo shtesë, u mbyll me shifrat 1-1, me skuadrat që krijuan mundësitë përkatëse, por duhet thënë se edhe portierët bënë më të mirën e tyre. Madje, gardiani i Realit, Thiabut Courtois, në fund u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes, pasi arriti të ndalte edhe 11 metërshin e Jose Gaya, që ishte përcaktues i fituesit.

Një tjetër lojtar që luajti me nota pozitive nga madrilenët ishte edhe kapiteni Karim Benzema, i cili ishte edhe autori i golit për ekipin e drejtuar nga Carlo Ançelotti. Me këtë finalizim, francezi bëhet lojtari i dytë në historinë e Superkupës së Spanjës që shënon në 5 takime të njëpasnjëshme. Një gjë të tillë përpara tij e ka bërë vetëm Lionel Messi nga viti 2010, deri në 2012-tën.

Një tjetër fakt interesant në këtë gjysmëfinale, ishte se të dyja skuadrat, Real Madrid dhe Valencia, drejtoheshin nga trajnerë të të njëjtit shtet, italianët Carlo Ançelotti dhe Gennaro Gattuso dhe kjo ndodhte vetëm për të 5-tën herë në historinë e kompeticionit.

Kjo ishte hera e 18-të që Real Madrid kualifikohet në finale të Superkupës së Spanjës. Madrilenët janë kampionët në fuqi të turneut dhe në finalen e datës 15-të Janar, do përpiqen të mbrojnë titullin e fituar një vit më parë. Mirëpo pavarësisht këtij kualifikimi, Carlo Ançelotti ka arsye që të bëhet me dhimbje koke, sepse gjendja fizike e lojtarëve të tij nuk duket aspak e mirë. Përveç mungesës së David Alaba dhe Aurelien Tchuameni, të cilët nuk udhëtuan me skuadrën në Arabinë Saudite, Eduardo Camavinga dhe Lucas Vazquez shfaqën probleme fizike gjatë lojës me ekipin valencian. Gjendja e tyre do monitorohet në vazhdimësi.