Real Madrid kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Spanjës. Në çerekfinale, Los Blancos mposhtën 3-2 skuadrën e Leganese në transfertë. Deri në minutën e 25, gjithçka po shkonte më së miri për miqtë, teksa kaluan në avantazh të dyfishtë, me anë të Luka Modriç dhe Endrick.
Mirëpo, pikërisht nga një moment i tillë, situata nisi të ndryshonte për të besuarit e Carlo Ançelottit. Në të 39-tën, Juan Cruz ngushtoi diferencën nga pika e bardhë e penalltisë. Këtë sezon, Reali është përballur me 6 penallti në disfavor. Vetëm Las Palmas me 9 dhe Girona me 7 penallti janë ndëshkuar më tepër në këtë drejtim.
Në pjesën e dytë, Leganes do të guxonte më tepër dhe në të 59-tën, arriti të barazonte rezultatin me po të njëjtin autor. Juan Cruz, e dërgoi sërish topin në rrjetë, duke rikthyer barazimin e ndeshjes. Hije eliminimi po silleshin rrotull për Realin e Madridit, që në 6 sezonet e fundit, ishte s’kualifikuar plot 4 herë nga Kupa në fazën çerekfinale. Kështu që, nisur nga kjo statistikë, nuk do të ishte çudi që madrilenët të ishin kthyer duarbosh në shtëpi.
Megjithatë, për kampionët në fuqi të Spanjës, mendoi një djalosh i akademisë, sikurse është Gonzalo Garcia. Në të tretën minutë të shtesës, 20 vjeçari shënoi golin e fitores, duke siguruar kësisoj edhe kualifikimin në gjysmëfinale.
Në këtë ndeshje, për skuadrën madrilene nuk mungoi edhe një incident mes Luka Modriç dhe Vinicius Junior. Siç përcillet nga mediat e huaja, në minutat e fundit të takimit, kroati i kërkoi brazilianit të kthehej dhe të ndihmonte skuadrën në mbrojtje, diçka që sulmuesi e refuzoi dhe kjo shkaktoi një përplasje verbale mes të dyve.
I pyetur në lidhje me këtë situatë, trajneri Carlo Ançelotti, u shpreh se kur një lojtar si Modriç flet, atëherë duhet dëgjuar. Ndërsa Modriç tha se këto janë gjëra normale që ndodhin mes shokëve të skuadrës përgjatë një ndeshjeje futbolli.