Real Madrid kualifikohet në finalen e Botërorit të Klubeve. Mbrëmjen e së mërkurës, Los Blancos, mposhtën në gjysmëfinale, skuadrën e Al Ahly me rezultatin 4-1.
Të besuarit e Carlo Ançelottit kaluan në epërsi në minutën e 42 të pjesës së parë me anë të Vinicius Junior. Më pas, kur skuadrat kishin vetëm 60 sekonda që ishin rikthyer në fushë, Federico Valverde dyfishoi rezultatin për spanjollët.
Mirëpo, në të 65-tën, Ali Maaloul ngushtoi diferencën në 2-1, duke shënuar nga pika e bardhë e penalltisë. Egjiptianët e kërkuan ngjitjen pikërisht nga një moment i tillë dhe provuan që të shënonin edhe golin e barazimit, por pa ia dalë dot me sukses.
Ndërkohë, në minutat shtesë, Rodrygo dhe Arribas shënuan dy gola të tjerë për madrilenët, duke vulosur në këtë mënyrë edhe rezultatin e gjysmëfinales. Vlen të përmendet fakti që Arribas shënoi vetëm 28 sekonda pasi ishte aktivizuar në fushë, duke u bërë në këtë mënyrë lojtari zëvendësues më i shpejtë që shënon në Botërorin e Klubeve, të paktën që prej 2010-tës. Gjithashtu, vetëm 21 vjeç e 131 ditë, djaloshi i akademisë është bërë lojtari më i ri i Realit që realizon në këtë kompeticion.
Në finale, Real Madrid do përballet me skuadrën saudite të Al Hilal, ndeshje që do të zhvillohet në 11 Shkurt.