Real Madrid thuajse ka plotësuar revolucionin në merkato sa i përket afrimeve të reja, por ‘los blancos’ duket se kanë edhe një objektiv të fundit. Bëhet fjalë për Christian Eriksen të Tottenham, i cili prej kohësh është ndjekur me kujdes nga ana e madrilenëve. Duke qenë se transferimi i Pogba është shumë i kushtueshëm dhe me Manchester United që po bën një qëndresë të fortë, drejuesit e skuadrës spanjollë kanë filluar hapat e para për danezin Eriksen. E përditëshmja spanjolle ‘Marca’ raporton se ka patur disa kontakte mes përfaqësuesve të Real Madrid dhe Martin Schoots, i cili është edhe agjenti i Eriksen.
Sipas ‘Marca’-s, në ditët në vijim do të ketë një takim mes palëve për të shfaqur interesin dhe ofertën konkrete të Real Madrid për lojtarin, teksa arritja e një akordi me Tottenham për momentin nuk shihet si problem. Kjo, ndryshe nga vitet e shkuara, kur londinezët kërkonin 150 milionë euro për mesfushorin danez. Kësaj radhe gjërat mund të jenë më të thjeshta, me Realin që veç parave, është e gatshme të ofrojë edhe ndonjë lojtar që nuk është në planet e Zidane. Tek Tottenham mund të kënaqen me një ofertë të tillë, pasi veç një lojtari me kualitet që do të vinte nga kryeqyteti spanjoll, do të kishin edhe paratë për të mbyllur marrëveshjen me Ajax për Donny van de Beek, për të cilin kërkohen rreth 50 milionë euro.