E ardhmja e Eden Hazard do të jetë tek Real Madrid. Vetë lojtari e ka thënë hapur se do t’i pëlqente një transferim tek ‘los blancos’, ndërsa tani vjen edhe sinjali i fundit që do t’i hapë rrugën kësaj lëvizjeje. Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez ka deklaruar se klubi i drejtuar prej tij është përpjekur prej disa vitesh të nënshkruajë me Hazard. Perez nuk kurseu elozhet për futbollistin belg, duke e cilësuar si një ndër më të mirët në botë. Numri 1 i Real Madrid shtoi se ai dhe stafi i tij kanë kërkuar vazhdimisht informacione rreth mundësisë që Hazard të transferohet në kryeqytetin spanjoll, por kanë hasur në një rezistencë mjaft të fortë nga ana e Chelsea-t.
Këtë verë, ëndrra e Hazard për të luajtur me Real Madrid mund të bëhet realitet, pasi tek ‘blutë’ e Londrës kanë pranuar ta lejojnë të largohet, por me kushtin që të paguhet shuma e pretenduar nga londinezët për kartonin e tij. Chelsea pretendonte fillimisht rreth 150 milionë euro, por zërat e fundit flasin se anglezët janë pranë një marrëveshjeje me Real Madrid për 130 milionë euro. Duket se finalja e ‘Europa League’ do të shënohet si ndeshja e fundit e Hazard me Chelsean, skuadër ku belgu luan prej verës së vitit 2012. Londinezët paguan asokohe 35 milionë euro në arkat e Lille. Eden Hazard ka zhvilluar me shumë se 350 ndeshje me Chelsea-n, me të cilën ka shënuar më shumë se 100 gola.