Xabi Alonso, trajneri i Real Madrid:
“Ndeshja e sotme është një klasike e futbollit europian. Juventusi është një nga klubet e mëdha, që gjithmonë bëjnë futboll të bukur. Kam luajtur ndaj tyre shumë herë. E kujtoj kur dikur, i shihja nga televizori. Jemi përgatitur shumë mirë për këtë përballje dhe ekipi ndihet në formë. Kur vjen puna tek arritja e fitores në ‘Champions League’, shoh një dëshirë dhe përkushtim të admirueshëm tek lojtarët e mi. Është ajo që do të shohë çdo trajner. E dimë se kjo përballje ka një shije të veçantë për njerëzit në ‘Bernabeu’, prandaj jemi përpjekur të përgatitemi në mënyrën e duhur, për të dhuruar performancën që meritojnë. Deri para tre javëve të fundit, Juventusi po kalonte një moment të mirë dhe në fushë ishin vërtet shumë dinamikë. Pavarësisht rezultateve të fundit, mendoj se ata e kanë kapacitetin për të bërë gjëra të mëdha. Pikërisht në mbrëmje të tilla, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos e pësuar. Ata kanë një skuadër shumë të fortë në aspektin taktik. I ndryshojnë shpesh pozicionet dhe tashmë janë përshtatur me stilin e njëri-tjetrit. Nuk e kanë problem të bëjnë rotacion edhe në lojë e sipër dhe kjo gjë mund të ndërlikojë jo pak situatën.
Çfarë ka ndryshuar tek Vinicius? Ai është një lojtar shumë i mirë. Është thelbësor për skuadrën tonë këtë sezon. Është vendimtar në momentet kur kemi nevojë dhe unë jam i lumtur ta shoh të lumtur e të buzëqeshur.
Nico Paz? E pashë ndeshjen mes Komos dhe Juventusit. Nico bëri një paraqitje të mirë dhe një lëvizje shumë të zgjuar në momentin e golin. Është duke u zhvilluar vërtet mirë, por ky nuk është momenti për të folur për të ardhmen e tij.”
Thibaut Courtois, portier i Real Madrid:
“Jam i lumtur që do të arrijë kuotën e 300 ndeshjeve me Realin e Madridit. Kur isha fëmijë, ëndërroja të luaja qoftë edhe një ndeshje, prandaj të arrijë këtë numër, më bën vërtet krenar. Sot përballemi me një skuadër shumë të fortë. Vërtet që nuk po kalojnë momentin e tyre më të mirë sa i përket rezultateve, por e kanë provuar që në fillim të sezonit se çfarë force kanë. Mendoj se mund të gjesh cilësi të shkëlqyera tek Juventusi, si në aspektin sulmues, edhe në atë mbrojtës. Do të jetë një ndeshje e vështirë, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm e të përqëndruar ndaj çdo gjëje që do të ndodhë në fushën e lojës.”
Igor Tudor, trajneri i Juventus:
“Në mbrëmjen e sotme, pres një reagim të rëndësishëm nga skuadra, sepse luajmë në Madrid dhe nuk mendoj se ka motivim më të madh. Besoj se do të bëjmë një ndeshje të madhe. Ata kanë një skuadër të mbushur më kampionë dhe është e qartë se nuk do të jetë e lehtë. Por ne kemi cilësitë e duhura për të marrë më të mirë. Do të jetë një ndeshje fantastike, mes dy skuadrave të mëdha. Duhet të kemi synime të qarta, në momentin kur do të zbresim në fushën e blertë, për mënyrën se si do të luajmë, disiplinën dhe dëshirën që do të shfaqim… Deri më sot, të gjitha ndeshjet i kemi përgatitur si të ishin një finale. Edhe kjo e sotmja, për ne është si të jetë e tillë. Objektivi im kryesor është të ndihmojë skuadrën sa më shumë për të shpalosur më të mirën e potencialit që ka. Është detyra ime të vendos lojtarët në kushtet më të mira të mundshme për të treguar cilësitë që kanë. Aktualisht jam i qetë, ndihem mirë dhe jam shumë i motivuar për të vazhduar punën përpara. Jemi përgatitur shumë për këtë sfidë dhe mezi presim të shfaqim forcën tonë të vërtetë. Rezultatet nuk kanë shkuar ashtu siç kemi dëshiruar, por tani duhet të përqëndrohemi vetëm tek ndeshja e radhës. Është një sfidë e një rëndësie të veçantë për historinë që mbart dhe objektivat tona, prandaj vëmendja jonë është vetëm tek takimi me Realin.”
Khephren Thuram, mesfushor i Juventus:
“Pas humbjes me Komon, kemi biseduar me njëri-tjetrin dhe mendoj se ishte një gjë e rëndësishme që duhej bërë. Jemi të vetdijshëm për situatën ku ndodhemi dhe se kemi mundësinë për të bërë më mirë. Kemi një trajner të shkëlqyer, që ka besim të madh tek ne dhe bën çdo gjë për të na ndihmuar. Duam të përmirësohemi e të bëjmë më mirë. Sa herë që e veshim këtë fanellë, kemi një pëgjegjësi shumë të madhe mbi vete, prandaj është e rëndësishme që në fushë të luftojmë me të gjitha forcat tona për të marrë më të mirën. Sot luajmë ndaj një skuadre të madhe, që po ashtu synon të fitojë. Mbappe? Është më i miri dhe e dimë se çfarë është i aftë të bëjmë. Kush është lojtari më i mirë në botë? Për mua është Mbappe, duke u nisur nga ajo që ka treguar këtë sezon, por edhe Dembele është i shkëlqyer.”