Real Madrid po ndjek vëllanë e Jude Bellingham. Pasi Jude është kthyer në liderin e skuadrës së Los Blancos, teksa këtë sezon ka shënuar 10 gola në po kaq ndeshje të luajtura në të gjitha garat, mediat ndërkombëtare, raportojnë se drejtuesit e klubit mbretëror, tashmë kanë nisur të interesohen pikërisht për vëllanë e tij, Jobe.
Ashtu sikurse Jude, edhe Jobe është një produkt i akademisë së Birmingham, teksa në verën që lamë pas, u transferua në radhët e Sunderland në Championship, atje ku në 11 javët e para ka shënuar 2 gola, dhe ka dhënë një asist për shokët e skuadrës.
Për këto të dhëna, dhe për përshtatjen e menjëhershme në skuadër, përveç Premier League, Jobe konsiderohet si lojtari i ri më i mirë i kategorive të tjera të futbollit anglez. Përkushtimi në stërvitje, vetbesimi, apo edhe impakti i menjëhershëm në ambientin e Sunderland, i ka befasuar të gjithë, aqsa në fillim dukej e pabesueshme që ai të ishte vetëm 18 vjeç.
Kjo është një situatë paralele me atë që po ndodh me Jude tek Real Madrid, i cili vetëm 20 vjeç, është kthyer menjëherë në lokomotivën e skuadrës së drejtuar nga Carlo Ançelotti.
Në kushte si këto, nuk pritet të jetë e largët dita, kur të dy vëllezërit që jenë pjesë e përfaqësueses angleze të futbollit, teksa gjithashtu, ndoshta një ditë, ata mund të kthehen në “komandantët” e mesfushës madrilène.
Reali po qëndron i vëmendshëm mbi ecurinë e vëllait të Bellingham në Championship, ndërsa mediat në ishull, shkruajnë se klube të ndryshme të Premier League janë duke bërë të njëjtën gjë. Madje, menaxherë të ndryshëm futbolli, nga shkallët e stadiumit të Sunderland, po i vëzhgojnë në sitë performancat e djaloshit 18 vjeçar. Se cili do të jetë klubi i ardhshëm i Jobe Bellingham, kjo mbetet për t’u parë, një gjë është e sigurt: futbolli duhet të përgatitet për një tjetër talent të jashtëzakonshëm.