Bale apo Isco? Eshtë kjo pyetja që po shoqëron prej ditësh analizat sportive në Spanjë dhe vetë Zinedine Zidane në konferencën për shtyp të së martës nuk ka dashur të zbulojë shumë për këtë pjesë duke thënë se Isco dhe Bale mund të luajnë fare mirë edhe së bashku. Kur mbeten edhe pak ditë nga finalja e madhe e 3 qershorit në Kardif, Juventus dhe Real Madrid po kryejnë përgatitjet e fundit dhe në kampin madrilen gjërat duken më së miri, të paktën në aspektin e lëndimeve. Për Los Blancos janë riaftësuar të gjithë. “Eshtë një finale speciale për mua, pasi luhet në qytetin ku unë jam lindur, por s’do zhgënjehesha nëse nuk e nis si titullar” – ka ripërsëritur së fundmi Bale, i cili ka kërkuar prej kohësh që të paktën të ketë disa minuta në fushë. Në këtë pikë tejet gazmore ka qenë përgjigjia e Casemiros. I pyetur se kë do të parapëlqente, braziliani tha se ishte i kënaqur për faktin se nuk ishte ai që do të duhej ta merrte këtë vendim. “Isco është në një formë tejet të mirë, ndërsa Bale është një lojtar i rëndësishëm për ne. Eshtë një vendim i vështirë sepse trajneri mund të hedhë në fushë vetëm 11 lojtar, dhe për këtë jam me fat që s’jam unë ai që duhet të zgjedhë” – ka thënë 25-vjecari. Por për televizionin e klubit ka folur edhe Ronaldo. Portugezi, absolutisht protagonisti kryesor i sezonit të Realit, tha se ndihej shumë mirë fizikisht, dhe gati për t’u përballur me Juventusin. “Ndihem shumë më mirë krahasuar me sezonet e shkuara. Shpresoj që kjo formë të më ndihmojë të shënoj ndonjë gol të shtunën, pasi objektivi është madhor, të mbrojmë titullin dhe të bëhemi të parët që e arrijmë këtë” – ka thënë portugezi.