Real Madrid fiton ndeshjen e parë të fazës play-off ndaj Manchester Cityt në transfertën angleze, me rezultatin 3-2. Ashtu si zakonisht, edhe këtë herë, kjo sfidë, e quajtur një klasike tashmë, edhe këtë herë dhuroi spektakël të jashtëzakonshëm.
Të parët që kaluan në avantazh ishin vendasit me Ering Haaland në minutën e 19. Në pjesën e dytë, Reali, arriti të barazonte në minutën e 60 me anë të Kylian Mbappe, i cili i ndihmuar edhe nga fati, arriti ta dërgonte topin në rrjetë.
City arriti të rikthehej edhe një herë tjetër në epërsi, teksa në të 80-tën, Erling Haaland u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Atëherë kur dukej se skuadra e Pep Guardiolës do të korrte një fitore të rëndësishme, Real Madrid nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit. Los Blancos treguan edhe një herë tjetër, se në Champions League, ata mund të transformohen nga momenti në moment. në të 86-tën dhe 92-tën, Brahim Diaz dhe Jude Bellingham realizuan golat e përmbysjes për skuadrën spanjolle.
Manchester City pësoi 20 gjuajtje në portë nga Real Madrid të Martën mbrëma dhe kjo është hera e parë që City leojn kaq shumë tentative në Etihad në të gjitha kompeticionet përgjatë epokës së trajnerit Pep Guardiola.
Po ashtu, kjo ishte fitorja e parë e Real Madrid në fushën e Manchester Cityt. Në 6 ndeshjet e mëparshme, Los Blancos, kishin regjistruar 3 humbje dhe 3 barazime.
Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje që ndodhi në tokën angleze, e pavarësisht faktit që Reali tashmë ka avantazhin e një goli, duhet theksuar se kualifikimi mbetet i hapur, pasi në Santiago Bernabeu gjithçka mund të ndodhë, sidomos kur flasim për futbollin e nivelit më të lartë të mundshëm.
Ndeshja e kthimit mes Realit dhe Cityt në Madrid, do të luhet të Mërkurën e ardhshme, në 19 Shkurt.