Real Madrid fiton gjysmëfinalen e parë të Kupës së Spanjës ndaj Real Sociedad. 90 minutëshi i luajtur në Anoeta, u mbyll me rezultatin 1-0 më Los Blancos, të cilët, golin e vetëm, e shënuan me anë të sulmuesit Endrick që në minutën 19-të.
Në këtë mënyrë, braziliani është bërë lojtari i tretë nën 20 vjeç me më shumë gola në La Liga në të gjitha kompeticionet. I pari është Lamine Yamal me 11, pastaj Vitor Roque me 7 dhe i treti pikërisht Endrick me 6 gola.
Një sfidë e rëndësishme rezultoi edhe për Jude Bellingham, i cili ishte lojtari që asistoi në golin e skuadrës së Realit. Duke nisur që nga sezoni i kaluar në të gjtiha kompeticionet, Jude Bellingham ka dhënë 24 asist. Nga të gjithë lojtarët e La Ligas, vetëm Raphinha i Barcelonës ka bërë më mirë në këtë drejtim, me 27 asiste.
Por, fitorja në fushën e Real Sociedad nuk kaloi pa telashe për Real Madrid dhe këtu fjala është për dëmtimin e Dani Ceballos. Afër fundit të ndeshjes, mesfushori u shtri në fushë, teksa nga raportimet e para, bëhet fjalë për një problem muskulor. Si pasojë, lojtari në fjalë do të mungojë nga 3 deri në 4 javë për Realin.
Përgjatë kohëve të fundit, Dani Ceballos ishte kthyer në një lojtar të rëndësishëm për formacionin e Real Madrid, teksa mungesa e tij në ditët e ardhshme, mund të kthehet në një shqetësim për skuadrën e Los Blancos.
Gjysmëfinalja e kthimit në Kupë mes Realit dhe Sociedad në Santiago Bernabeu, do të luhet në datën 1 Prill