Real Madrid fiton derbin me Atleticon dhe kualifikohet në finalen e Superkupës së Spanjës

Sport

Real Madrid është finalisti i parë i Superkupës së Spanjës. Në gjysmëfinale, Los Blancos, mposhtën rivalët historikë të qytetit, Atleticon, me rezultatin 5-3.

Koha e rregullt përfundoi në barazim 3-3 dhe për të gjetur një fitues, skuadra iu drejtuan kohës shtesë, që nëse edhe ajo nuk do të mjaftonte, atëherë gjithçka do te vendosej me anë të ruletës së penalltive. Megjithatë, situata nuk shkoi deri aty, sepse Reali shënoi dy herë në shtesë, duke siguruar kësisoj finalen e parë të sezonit. Autorët e golave për të besuarit e Carlo Ançelottit, ishin Rudiger, Mendy, Cravajal, një autogol i Saviç dhe në fund ishte Brahim Diaz ai që vulosi gjithçka.

Në krahun tjetër, autorët e golave për Atleticon ishin Hermoso, Griezmann dhe një autogol i Rudiger. Ndeshja e luajtur në Arabinë Saudite, rezultoi historike për Griezmann në aspektin personal, me francezin që tashmë është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Atletico Madrid, me 174 fianlizime, duke lënë pas vetes Luis Aragonaes me 173 gola.
Kjo ishte hera e parë në të gjitha kompeticionet, që pas vitit 2000 që Reali dhe Atletico e mbyllën pjesën e parë me 4 gola të shënuar, një tregues mëse i qartë që skeptakli i të Mërkurës mbrëma ishte i jashtëzakonshëm.Më tej, kjo është hera e parë që nga viti 1990, që Reali dhe Atletico shënojnë nga 3 gola brenda një 90 minutëshi të vetëm.

Mbrëmja rezultoi gjithashtu e veçantë edhe për trajnerin Carlo Ançelotti, i cili është ngjitur tanimë në kuotën e 263 ndeshjeve që e drejton Realin e Madridit, duke barazuar kësisoj një figurë si Zinedine Zidane. Përpara tyre në këtë aspekt, si trajneri me më tepër ndeshje në historinë e Real Madrid, qëndron vetëm Miguel Munoz, me 605 takime.

Për t’u rikthyer tek derbi, teksa Atletico rikthehet në shtëpi, Reali ka siguruar në këtë mënyrë biletën drejt finales së 19 në historinë e Superkupës së Spanjës. Los Blancos numërojnë 12 tituj të fituar në këtë kompeticion. Përpara tyre qëndron vetëm Barcelona me 14 tituj të fituar në Superkupë.

Sakaq, kjo ishte përplasja e parë në 3 në total që do të jenë në harkun e 3 javëve mes Real Madrid dhe Atletico. Të parën e fitoi ekipi i Los Blancos, ndësa dy të tjerat, do të jenë, një në Kupën e Mbretit dhe tjetra në La Liga.