Real Madrid fiton derbin e parë ndaj Atletico Madrid në Champions League

Sport

Real Madrid fiton derbin e parë ndaj Atletico Madrid në fazën e 1/8-ave të UEFA Champions League. Në Santiago Bernabeu, Los Blancos fituan me rezultatin 2-1, me sfidën që do të zhbllokohej që në minutën e katërt. Do të ishte Rodrygo Goes ai që realizoi për vendasit. Pas finalizimit të mrekullueshëm, braziliani është bërë lojtari i pestë më i ri në Champions League që shkon në kuotën e 25 golave, vetëm 24 vjeç e 54 ditë. Përpara tij në këtë drejtim qëndrojnë Raul Gonzalez, Lionel Messi, Kylian Mbappe dhe Erling Haaland.

Por, në të 32-tën, Atletico do të barazonte me anë të Julian Alvarez, i cili shpiku një gol të jashtëzakonshëm, padyshim nga më të bukurit e sezonit që janë shënuar deri në këtë fazë të Champions League. Në shekullin e 21, Alvarez është bërë vetëm lojtari i tretë i Atletico Madrid që ka shënuar në dy ndeshje radhazi ndaj Real Madrid në Santiago Bernabeu. Diçka të ngjashme përpara tij e kanë bërë vetëm Diego Forlan në 2010-tën dhe Antoine Griezmann në 2017-tën.

Në pjesën e dytë, Reali do të shënonte sërish, në atë që do të rezultonte gjithashtu edhe si goli i fitores për skuadrën e drejtuar nga Carlo Ançelotti. Ai që e dërgoi topin në rrjetë ishte Brahim Diaz në minutën e 55. Diaz, është bërë lojtari i pestë i Realit që pas vitit 2000, i cili shënon në 3 kompeticione të ndryshme ndaj Atletico Madrid. Të tjerët përpara tij që e kanë bërë këtë gjë, janë Sergio Ramos, Cristiano Ronaldo, Karim Benzema dhe Rodrygo Goes.

Megjithatë, ky ishte vetëm 90 minutëshi i parë i derbit të Madridit, ndërsa të Mërkurën e ardhshme, në Estadio Metropolitano do të luhet edhe ndeshja e kthimit, aty ky do të përcaktohet përfundimisht se cila prej skuadrave do të kualifikohet në çerekfinale.

Trajneri Carlo Ançelotti tha në konferencë pas ndeshjes se dueli i kthimit në fushën e Atleticos do të jetë akoma edhe më i vështirë. Ndërsa Diego Simeone, pavarësisht humbjes së skuadrës së tij, preferon ta shohë gotën gjysmë plot, duke thënë se ekipi i tij mbijetoi dhe se kualifikimi është totalisht i hapur.