Real Madrid fiton derbin dhe kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës

Sport

Real Madrid kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, duke mposhtur Atleticon në çerekfinale, me rezultatin 3-1. Ashtu sikurse pritej, sfida e luajtur në “Santiago Bernabeu” prodhoi spektakël.

Ishin miqtë ata që kaluan të parët në epërsi në minutën e 19-të me anë të Alvaro Morata. Ky ishte goli I 16-të i sulmuesit I shënuar në stadiumin Bernabeu përgjatë karrierës së tij, duke marrë parasysh edhe epokën kur ishte pjesë e Los Blancos.

Vetëm Allianz Stadium I Juventusit është stadiumi ku Morata ka shënuar më tepër gola ndër vite, plot 24.

Reali u përgjigj në pjesën e dytë dhe konkretisht në të 79-tën, kur braziliani Rodrygo, I ardhur nga stoli, shënoi një gol spektakolar, gati-gati në versionin Lionel Messi. Koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1 dhe ndeshja shkoi në shtesë.

Duke I hedhur një sy historisë, në eliminimet e mëparshme me vetëm një ndeshje, Real Madrid dhe Atletico ishin përballur 5 herë mes tyre dhe në të gjitha rastet, për të evidentuar fituesin, ka qenë e nevojshme koha shtesë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe as këtë herë.

Vetëm 4 minuta, pasi Stefan Saviç u ndëshkua me të verdhin e dytë, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë, në të 103-tën, Karim Benzema realizoi golin e dytë për Realin. Ndërsa në fund, në të 121-tën, Vinicius Junior vulosi rezultatin 3-1 të derbit në favor të skuadrës së Carlo Ançelottit.

Së bashku me Real Madrid, skuadrat e tjera gjysmëfinaliste të Kupës së Mbretit janë Athletic Bilbao, Osasuna dhe Barcelona. Çiftet e kësij raundi do përcaktohen në shortin e datës 30 Janar, në orën 13:00.