Real Madrid eliminon Manchester Cityn nga UEFA Champions League dhe kualifikohet për më tej

Sport

Real Madrid eliminon Manchester Cityn nga UEFA Champions League dhe kualifikohet në raundin e 1/8-ave. Pasi Los Blancos fituan 3-2 ndeshjen e parë të fazës play-off, ia dolën të triumfonin sërish në shtëpinë e tyre, me rezultatin 3-1.

Personazhi që shkëlqeu përgjatë gjithë takimit, ishte Kylian Mbappe, i cili shënoi që të tre golat e Realit. Francezi, është bërë lojtari i dytë që ka shënuar më shumë gola ndaj ekipeve të trajnerit Pep Guardiola, plot 6. Në vendin e parë qëndron Lionel Messi me 7 finalizime. Po ashtu, Mbappe është bërë lojtari i parë në historinë e Champions League, që ka shënuar tregolësh në Camp Nou dhe Santiago Bernabeu.

Ashtu siç ndodhi në ndeshjen e parë, edhe në të dytën, Reali ishte ekipi dominues në fushën e gjelbërt. Thënë më ndryshe, 15 herë kampionët e Europës, janë skuadra e vetme që kanë mundur të bëjnë më shumë gjuajtje në drejtim të një ekipi që drejtohet nga Pep Guardiola. 20 tentativa në ndeshjen e parë, dhe 15 në të dytën. Një statistikë kjo, që tregon lehtësisht se Merengues nuk e patën shumë të vështirë ndaj kampionëve në fuqi të Anglisë.

Kjo ishte hera e katërt në radhazi që Reali dhe City u përballën mes tyre në Champions League. Në 3 nga këto 4 përballje, është Real Madrid që ka mundur të kualifikohet për më tej. Nëse i referohemi historisë, ekipi fitues nga një çift i tillë në këto 4 vitet e fundit, ia ka dalë të fitojë gjithashtu edhe trofeun e UEFA Champions League.

Nuk i dihet se si do të shkojë këtë herë, pasi rruga është ende e gjatë. Reali sapo ka siguruar një vend mes 16 më të mirave të Europës, ndërsa në në 1/8-tat, do të ketë përballë, skuadrën e Bayer Leverkusen, ose skuadrën e Atletico Madrid.