Real Madrid drejt transferimit të një sulmuesi me parametra zero

Sport

Roberto Firmino mund të transferohet tek Real Madrid me parametra zero. Pas 8 sezonesh në radhët e Liverpool, sulmuesi vendosi të largohej nga The Reds pikërisht në përfundim të kontratës së tij, ndërsa përgjatë ditëve të fundit, në mediat e huaja është raportuar se braziliani do të bëhet pjesë e Los Blancos.

Përgjatë ditëve të ardhshme, Reali pritet të zyrtarizojë transferimin e Jude Belliingham, me operacionin që pritet të shkojë përtej 100 mln eurove, çka do të thotë se kjo ul potencialin e klubit spanjoll për të investuar fort në një tjetër lojtar, e më konkretisht në një tjetër sulmues.

Pikërisht për këtë arsye, bëhet më e besueshme që Firmino të bëhet pjesë e 14 herë kampionëve të Europës në merkaton e kësaj vere. Braziliani dallohet për nuhatjen e lartë të golit përpara portës, kështu që mund të jetë një alternativë shumë e mirë për kapitenin Karim Benzema, I cili me 35 vite mbi shpinë, nuk mund t’I përballojë të gjitha ndeshjet e sezonit në fushë, për më tepër që përgjatë këtij viti futbollistik, ka qenë I kushtëzuar jo pak edhe nga problemet fizike.

Përveç faktit se Firmino ka një raport të mirë me golin, ai gjithashtu është edhe një lojtar që di të luajë mjaft mirë edhe jashtë zonës, diçka që trajneri Carlo Ançelotti e preferon pa masë. Jo pak herë në radhët e Liverpool, Firmino ka treguar se mund të luajë edhe si një numër 10 dhe të përfshihet gjithmonë e më tepër në ndërtimet e aksioneve sulmuese të skuadrës.

Në aventurën e tij me Liverpool, Firmino u aktivizua 362 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 111 gola, të kombinuar me 79 asiste. Vlen të theksohet se në “Anfield”, braziliani fitoi edhe disa trofe, ku mes tyre theksojmë triumfin në Champions League dhe në Premier League.