Real Madrid drejt transferimit të lojtarit të radhës me parametra zero

Sport

Trent Alexander-Arnold do të tranfserohet tek Real Madrid në fund të sezonit. Mediat e huaja e bëjnë fakt të kryer se mbrojtësi i djathtë do të shkojë me parametra zero në radhët e 15 herë kampionëve të Europës.

Trent, është në muajt e fundit të kontratës me Liverpoolin, ndërsa vlen të theksohet se prej një kohe të gjatë tashmë, rinovimi nuk ishte përfolur thuajse për asnjë moment.

Në kushte si këto, anglezi ka vendosur t’i japë fund aventurës me klubin e tij të qytetit dhe të fëmijërisë dhe të hedh një tjetër hap në karrierë, duke u bërë pjesë e Los Blancos.

Siç njoftohet, me Los Blancos, Arnold do të firmosë një kontratë 5 vjeçare. Paga e mbrojtësit ende nuk bëhet e ditur, por thuhet se ai nuk do të jetë ndër lojtarët më të paguar të skuadrës. Mesa duket, parar së gjithash, dëshira më e madhe e anësorit të prapavijës, ka qenë që të bëhet pjesë e Real Madrid.

Nëse gjithçka konkretizohet kështu siç flitet, atëherë, Trent, do të jetë lojtari i katërt përgjatë viteve të fundit që transferohet me parametra zero në radhët e Real Madrid. Tre të tjerët janë David Alaba, Antonio Rudiger, dhe Kylian Mbappe.

Sakaq, Reali është duke punuar gjithashtu për të rinovuar kontratën edhe me djaloshin e shtëpisë, Raul Asencio. Mediat raportojnë se bëhet fjalë për një kontratë 4 vjeçare dhe në brendësi do të ketë një klauzolë largimi, që parashikohet të shkojë deri në 100 miliionë euro.