Real Madrid dhe Vinicius Junior do të vazhdojnë së bashku. Kontrata aktuale e brazilianit me 14 herë kampionët e Europës, është e vlefshme, deri në fund të sezonit tjetër, mirëpo nuk ka vend për panic. Lojtari nuk do të largohet me parametra zero, teksa e ardhmja e tij është e projektuar në “Santiago Bernabeu”.
Sipas mediave ndërkombëtare, palët kanë arritur marrëveshjen për një kontratë të re. Madje, ajo është firmosur, teksa pritet vetëm zyrtarizimi, që në fakt ishte planifikuar të bëhej një javë më parë, por nuk ndodhi, për shkak se presidenti Florentino Perez rezultoi pozitiv Covid 19-të.
Në kushte si këto, zyrtarizimi i rinovimit të kontratës së Vinicius është shtyrë për një moment të dytë dhe me shumë mundësi do të bëhet publike përgjatë javëve të ardhshme, ndërsa klauzola e largimit do të jetë 1 miliard euro. Vetë Vinicius, i pyetur mbi një temë të tillë përgjatë kohëve të fundit, është shprehur se ambicia e tij më e madhe, është të luajë gjithë jetën me fanellën e Real Madrid.
Për herë të parë, Vinicius zbarkoi në Madrid në 2018-tën. I transferuar për 45 milionë euro nga skuadra braziliani e Flamengos, anësori i sulmit u bë menjëherë pjesë e skuadrës së parë. Që prej atëherë, 23 vjeçari ka luajtur 232 ndeshje në të gjtiha kompeticionet, teksa numëron 62 gola dhe 65 asiste në të gjitha kompeticionet. Këto statistika janë të gërshetuara edhe me 9 trofe, mes tyre një titulli i Champions League, i fituar në Paris në 2022-shin, me golin e vetëm të finales, të shënuar pikërisht nga vetë Vinicius.