Real Madrid dhe Manchester City mund të përballen sërish në Champions League

Sport

Champions League mund të ndryshojë format, mund të ndryshojë edhe formulën e përcaktimit të çifteve në raundet me eliminim të kompeticionit, por në të gjitha rastet, Real Madrid dhe Manchester City, duket sikur e gjejnë një mënyrë për t’u ndeshur bashkë. Është kthyer në traditë tashmë që të dyja skuadrat në fjalë të përballen me njëra-tjetrën përgjatë edicioneve të fundit. E zakonisht, në këto raste, fakti është që skuadra fituese e çiftit, në fund, ia ka dalë të fitojë edhe titullin e Champions League.

Këtë edicion, Reali dhe City mund të përballen në fazën play-off. Kampionët në fuqi të Europës u klasifikuan në vendin e 11 të Fazës së Ligës, kurse City në vendin e 22. Kështu, sipas formulës së përcaktimit, dy kundërshtarët e Realit në play-off, janë pikërisht City, ose Celtic. Propabiliteti në këtë rast është 50 me 50, por sidoqoftë, nuk do të ishte aspak surprizë, nëse dy superfuqi si Reali dhe Cityn, t’i shihnim sërish duke u sfiduar në fushën e lojës.

Më tej, nëse Reali ka mundësi që të shortohet edhe me Celticun, duke e zbutur disi mundësinë e kulalifikimit në 1/8-tat, City nuk mund ta shmang dot shkallën e vështirësisë. Nëse nuk do të jetë Reali, atëherë, kundërshtari tjetër i Cityt, është Bayern Munich, me gjermanët që u klasifikuan të 12-tët në Fazën e Ligës. Gjermanët dhe anglezët, u përballën mes tyre në çerekfinalen e dy sezoneve më parë. Ata që kaluan më tej ishin Cityzens, të cilët i shkuan kompeticionit deri në fund, duke mundur të fitojnë edhe trofen e tyre të parë, në finalen e Stambollit.