Real Madrid, Bale s’ka ndërmend të largohet, uron që edhe Ronaldo të qëndrojë

Sport

balesport

Gareth Bale nuk ka ndërmend të largohet nga Reali i Madridit dhe nga ana tjetër dëshiron shumë që këtë gjë të mos e bëjë as Cristiano Ronaldo. Në një intervistë për spanjollen Marca, uellsiani ka folur rreth sezonit që shkoi, spekulimeve për largim, por edhe për portugezin. Si fillim Bale tha se ndihet i riaftësuar plotësisht nga lëndimi i kaviljes. Ai theksoi se sezonin e kaluar, për shkak të dhimbjeve nuk kishte mundur të ishte në formën optimale. 28-vjecari premtoi se gjërat do të ishin më mirë duke filluar nga muaji gusht dhe për këtë do të jepte maksimumin. Ndër të tjera Bale zbuloi se për gjatë gjithë kohës ka menduar vetëm për Realin e Madridit duke hedhur poshtë zërat që përflisnin për një lëvizje të tij. Ndërkohë uellsiani nuk la pa folur as për Ronaldon. Ky i fundit është duke u përballur me një çështje prej 15 milionë eurosh të evazionit fiskal dhe për këtë thuhet se mund të lëvizë nga Madridi. Bale ka uruar që Ronaldo të mos largohet, kjo duke pasur parasysh se së bashku me të, që prej vitit 2013-të, ka mundur të fitojë 2 herë Champions League-ën. Sulmuesi i Realit tha për Markan se nuk e kishte ndjekur shumë shtypin, por sido që të ishte puna për të Los Blancos nuk kanë arsye pse të ndryshojnë, përderisa sipas tij, këto 3 vite kanë qenë dominues. Nëntorin e vitit që shkoi 28-vejcari theu kaviljen dhe iu rikthye fushës vetëm në muajin shkurt, ky lëndim pasoi disa probleme muskulore, për të cilat Bale zbuloi se kishte punuar nga 12 orë në ditë në mënyrë që t’i tejkalonte dhe të ishte prezent në finalen e Kardifit.