Gareth Bale u dha tifozëve madrilen arsye për të shpresuar në një rikthim të tijin në formë, kjo pas disa videosh që u bënë virale, ku ai shfaqej duke u stërvitur në palestër me një maskë oksigjeni. Praktika e promovuar prej tij ka nxitur kuriozitetin e shumë tifozëve. Gazeta AS raportoi se uellsiani nuk ka asnjë problem fizik aktualisht dhe po ndjek një program stërvitjeje tejet specifik, të përpiluar enkas për të. Objektivi është rikuperimi i formës sa më mirë të jetë e mundshme përpara sfidës së 14 shkurtit me PSG në UEFA Champions-League. Sipas gazetarëve spanjoll, maska që përdor Bale nxit frymëmarrje më të thella dhe një qarkullim më të fortë të gjakut. Për rrjedhojë aktiviteti i shtuar kardiovaskular bën të mundur që ai të përfitojë stimulim të rezistencës dhe rezultate më të mira në stërvitje. E gjitha kjo për një kohë shumë të shkurtër. Në Valdebesas vazhdon riaftësimi i plotë edhe për Iscon dhe Sergio Ramosin. Pasi munguan në sfidën në Mestalla, të dy kanë zhvilluar stërvitje individuale, përtej stërvitjeve në grup. Shtypi spanjoll ndërkohë thotë se nga lista që ka Zidane, dy janë ata që nuk kanë shfaqur shenja pozitive, Ceballos dhe Vallejo, të cilët nuk janë stërvitur me grupin. Ata shoqërojnë në këtë drejtim Raphael Varane-in, i cili gjithashtu ka probleme në gju, pas një përplasjeje në sfidën kundër Valencias.