Mungesa e Bale dhe Ceballos në foton e festimeve të Sergio Ramosit, ka përhapur një valë të madhe spekulimesh në Spanjë. Ndërsa 21-vjecari spanjoll s’e priti aspak mirë faktin se luajti vetëm 29 sekonda dhe reagimi i tij ishte dukshëm me naze kundrejt Zidane-it. E pra Reali i Madridit fiton, por ambienti vazhdon të jetë i trazuar. Kapiteni i Los Blancos Sergio Ramos festoi ndeshjen e tij të 550-të teksa Reali fitoi 3-1 ndaj Leganes në mesjavë. Fitorja ndaj Legjonarëve të Madridit, u shoqërua me një postim në Twitter, ku 31-vjeçari theksonte se për të ishte nder të mbante shiritin e kapitenit dhe të luante 550 ndeshje me Realin. Por ndërsa kjo foto nuk kishte as tre lojtarë të tjerë si Luca Zidane dhe Borja Mayoral, gazetat janë fokusuar te Bale dhe Ceballos. Të dy s’e përtypën stolin në mesjavë. Ceballos ndër të tjera ka mbajtur turitë varur edhe pas ndeshjes. “Bale është tashmë një problem për Realin” analizonte Sergio Gomez për gazetën AS të premten. Sipas gazetarit spanjoll, uellsiani ka qenë në stol 3 herë në 4 ndeshejt e fundit dhe tanimë konsiderohet si zëvendësues nga Zidane, që ka në organikë një Marco Asensio tejet në formë. Bale rezulton të ketë luajtur 35 përqind të ndeshjeve këtë sezon, ndërsa statistikat e Ceballosit mbeten me sekonda. Rreth dy javë nga përballja e dytë me PSG-ën, “BBC”-ja e famshme e Realit, tashmë duket e shkërmoqur. Në fushë dhe golashënues mbetet vetëm Ronaldo.