Në javën e 28-të të kampionatit, Los BLancos triumfuan me rezultatin 3-0 në transfertën e Mallorcas, në një ndeshje ku episodet më të rëndësishme të saj i pati në pjesën e dytë.
Ishte pikërisht minuta e 55 e sfidës, kur Vinicius kaloi kryeqytetasit në avantazh, duke shfrytëzuar në maksimum pasimin e marrë nga Karim Benzema.
Ky ishte asisti i 11-të I francezit këtë sezon në La Liga, duke barazuar rekordin e tij më të mirë në kampionat, që i përket sezonit 2012/13-të.
Më tej, ishte Benzema ai që realizoi golin e dytë të takimit në minutën e 77-të. Francezi e gjeti rrugën e rrjetës nga pika e bardhë e penalltisë, e marrë nga Vinicius Junior. Braziliani ka fituar 5 11 metërsha këtë edicion në kampionat, më shumë sesa çdo lojtar tjetër i La Ligas.
Goli i fundit i sfidës është shënuar në minutën e 82 dhe autor I golit ishte sërish Benzema. Ky ishte finalizimi i 32 i francezit në të gjitha kompeticionet me Real Madrid, duke barazuar rekordin e tij më të mirë me Los Blancos, që i përket sezonit 2011/12-të.
Deri në fund kanë mbetur mjaftueshëm ndeshje për t’u luajtur, në mënyrë që 34 vjeçari ta thyejë këtë rekord, e për ta bërë këtë edicion, më të mirin e karrierës së tij futbollistike. Madje, jo vetëm kaq, por Benzema ka arritur tanimë në kuotën e 413 finalizimeve në karrierë, duke u bërë lojtari francez me më tepër gola në histori, e duke lënë pas vetes një emër si Tienry Henry me 411-të.
Me këtë fitore, Real Madrid afrohet gjithmonë e më shumë me titullin kampion. Me 10 ndeshje të mbetura deri në fund, Los Blancos udhëheqin me 66 pikë, 10 më shumë sesa vendi i dytë që mbahet nga Sevilla.