Real Madrid 14 herë kampion i Europës, festë e madhe në kryeqytetin spanjoll

Sport

Festë e madhe në Madrid. Pas triumfit 1-0 në finalen e Champions League ndaj Liverpool, Reali u kthye në shtëpi me trofeun e 14-të. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Edhe një herë tjetër, qyteti do të priste kampionët e Europës.

Në sheshin Cibeles, aty ku Los Blancos festojnë titujt, mijëra tifozë ishin mbledhur për të përshëndetur kampionët. Champions League, u ngrit lart në qiellin e Madridit, nga kapiteni Marcelo, i cili njëkohësisht I dha fund epokës së tij 15 vjeçare me Merenguez. Gjatë kësaj periudhe, anësori e ka shkruar përgjithmonë historinë me mbretërorët. Me 25 trofe të fituar me fanellën e bardhë, Marcelo po largohet si lojtari më i titulluar në historinë e Realit. Në fjalën e tij, mbrojtësi i majtë, kërkoi që askush të mos dëshpërohej nga ky fakt, por gjithëkush t’i gëzohej festës, sepse edhe një herë tjetër, Real Madrid u kthye të pushtonte Europën, për të 14-tën herë.Përveç Marcelos, po ashtu, me fanellën e bardhë mbyllën aventurën edhe Isco, së bashku me Gareth Bale, të cilët ishin pjesë e paradës festive të organizuar nga madrilenët.

Nëse futbollistët e sipërpërmendur e mbyllën aventurën në kryeqytetin spanjoll, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Luka Modriç. Arkitekti i mesfushës madrilène, pranoi se ka rinovuar edhe për një tjetër sezon kontratën me Real Madrid.

Më tej, për t’u rikthyer tek ngjarjet e të së dielës mbrëma, pas xhiros së qytetit, festa e Real Madrid vazhdoi deri në orët e vona, në Santiago Bernabeun e mbushur plot e përlot me tifozë. Gjithçka ia la vendin atmosferës pozitive, përfshirë këtu edhe trajnerin Carlo Ançelotti, trategun italian, i cili këtë sezon, ktheu në realitet një mision gati-gati të pamundur.

Përveç të tjerave, në aspektin personal, Ançelotti u ngrit në majën më të lartë të historisë së Champions League. 62 vjeçari tashmë numëron 4 tituj veshgjatë si trajner. 2 të fituara me Milanin dhe dy me Realin. Askush tjetër në histori nuk ka mundur të bëjë dot një gjë të tillë.

Mënyrë më të mirë për të mbyllur sezonin 2021/22 nuk munt të kishte për Real Madrid. Fillimisht ishte triumfi në Superkupën e Spanjës. Më pas triumfi i 35-të në La Liga dhe në fund, qershia mbi tortë, trofeu i 14-të i Champions League.  Ka edhe diçka tjetër. Në fjalën e tij, presidenti I klubit, Florentino Perez, i kërkoi skuadrës që të niste nga puna për titullin e 15-të të Ligës së Kampioneve.