Real fiton klasiken me Barcelonën, Arda Guler drejt Madridit

Sport

Arda Guler do të jetë përforcimi i radhës i Real Madrid. Sikurse bëhet e ditur në mediat e huaja, Los Blancos kanë fituar klasiken jashtë fushës së lojës ndaj rivalëve të tyre katalanas. Guler, i konsideruar edhe si “Messi i Turqisë”, falë aftësive të tij në fushën e lojës, ka zgjedhur që të luajë për 14 herë kampionët e Europës, ndonëse Barcelona shihej më e favorizuar për të siguruar shërbimet e tij.

I lidhur me Fenerbahçen me një kontratë deri në 2025-tën, Reali do paguajë në drejtim të klubit nga Stambolli, përtej klauzolës prej 17 milionë eurosh të lojtarit, në mënyrë që ky i fundit të lirohet dhe të zbarkojë në Madrid.

Detajet e marrëveshjes mes palëve, pritet të zgjidhen gjatë kësaj jave, teksa Fenerbahçe do të mbajë 20% të shitjes së kartonit të futbollistit, nëse ky i fundit, një ditë largohet nga “Santiago Bernabeu”.

Pasi fillimisht ishte pjesë e moshave, Guler, u bë pjesë e skuadrës së parë të kanarinave, në verën e 2021-shit, e prej atëherë ka laujtur 51 ndeshjen në të gjitha garat, duke shënuar 9 gola, e ka dhuruar 12 asiste. Në edicionin që lamë pas, mesfushori, kontribuoi me 6 gola, e 7 asiste, duke e ndihmuar Fenerbahçen, që të fitonte edhe Kupën e Turqisë.

Mbetet për t’u parë nëse Guler, do të bëhet menjëherë pjesë e skuadrës së parë të Real Madrid, apo do të luajë fillimisht me ekipin e moshave. Gjithçka mund të varet edhe nga planet e trajnerit Carlo Ançelotti.