Real-Bayern, Ancelotti ankohet për Kassain, Bayern s’e meritoi eliminimin

Sport

dfrgtsre1

Për herë të parë pas 5 sezonesh radhazi, Bayerni i Munch-ut nuk do të jetë në gjysmë-finalet e Champions League-ës. Në Santiago Bernabeu skaudra e Carlo Ancelottit vuajti sërish faktin se e mbylli me 10-të lojtarë dhe u përmbys 4-2. Ashtu sikurse ndodhi në Gjermani, Arturo Vidal diktoi rënien te Bayerni. Në Allianz Arena humbi një penallti, ndërsa në Bernabeu u ndëshkua me të kuq. Por pikërisht fakti se mori kartonin e dytë të verdhë nga arbitri Victor Kassai, në një ndërhyrje që nga pamjet u duk e rregullt, ka mërzitur ndjeshëm kampin bavarez. Po kështu edhe dy nga tre golat e Ronaldos ishin në pozicion jashtë loje. Te kampjonët e Gjermanisë Carlo Ancelotti nuk e fshehu zhgënjimin pas ndeshjes ndërsa kërkoi hapur moviolën në fushë. “Mendoj se moviola në fushë është e domosdoshme. Nuk mund të kushtëzohet një ndeshje nga vendimet arbitrale” – tha trajneri italian, i cili rikthehej në Bernabeu për herë të parë që kur në vitin 2014-të, u dha madrilenëve “La Deciman”. Ancelotti shtoi më tej se Bayerni nuk e meritonte eliminimin. “Kishim çdo gjë nën kontroll, por pastaj ndodhi ajo që ndodhi. Një mëkat, por gjithsesi jam krenar për këtë ekip që drejtoj dhe për atë çka ata dhanë në fushë” – tha trajneri i bavarezëve. Nga lojtarët, të cilët nuk e përtypën aspak humbjen, ishte Franck Ribery ai i cili në rrjetet sociale ka postuar një mori batutash tallëse ndaj hungarezit Kassai.