Reagimet e protagonistëve pas Manchester City – Tottenham!

Sport

city
Emocionet dhe spektakli që dhuroi përballja mes Manchester City dhe Tottenham në Champions League u rikthen njerëzve dashurinë për futbollin, që herë-herë sikur ia zbehte ndërhyrja e sistemit VAR. Kështu e kanë përshkruar shumë tifozë të skuadrave në fjalë ose jo, sfidën që i bëri të gjithë të mbanin frymën deri në sekondat e fundit. Eleminimi i Manchester City në një mbrëmje të atillë ka qenë thjesht mënyra më mizore për ta para veten jashtë Champions League-ës. Pep Guardiola theksoi pikërisht fjalën mizore në reagimin e tij pas ndeshjes, ku falenderoi tifozët për magjinë e dhuruar në stadium, por edhe lojtarët e tij, që dhanë maksimumin për të arritur kualifikimin. Në fund, Guardiola nuk kërkoi të merrej me vendimet e dyshimta të arbitrit dhe të sistemit VAR, por thjesht përgëzoi Tottenhamin dhe trajnerin Pochettino për suksesin historik që arritën.

download

Sa u përket lojtarëve të ‘citizens’, Bernardo Silva pranoi se ka patur vendime që duheshin parë më me kujdes nga gjyqtari Cakir, megjithatë portugezi nuk kërkoi të kapej tek episodet, duke thënë se VAR është një sistem që përpiqet të ndihmojë sa më shumë arbitrin në punën e tij. Protagonisti kryesor i ndeshjes, Raheem Sterling, goli i të cilit u anullua në sekondat e fundit, nuk pranoi të ndalonte për të dhënë deklaratat e tij, duke shprehur qartë zemërimin dhe zhgënjimin pas kësaj ndeshjeje. Në kampin e fituesve, trajneri Mauricio Pochettino i cilësoi lojtarët të gjithë si heronj dhe u shpreh se skuadra e tij e kishte merituar kalimin më tej në llogaritë e dy ndeshjeve. Njeriu më i lumtur pas përfundimit të ndeshjes ishte padyshim Christian Eriksen, që tha në fakt se ndihej personi më me fat në botë. Gabimi i danezit bëri që Sterling të shënonte golin e 5 për Manchester City-n, që fatmirësisht për Eriksen, u anullua nga sistemi VAR.