Çdo vështirësi e ka një anë të mirë. Dëmtimet e shumta të Real Madrid këtë sezon, sidomos në mbrojtje, duket se kanë zbuluar një futbollist me potencial, i cili është produkt e akademisë së klubit spanjoll. Fjala është për Raul Asencion. 21 vjeçari u aktivizua në ndeshjen që Reali luajti në kampionat me Osasunën, duke ardhur në vend të Eder Militaos, i cili në atë takim këputi ligamentin e gjurit, e si pasojë, mbylli edhe sezonin futbollistik.
Megjithatë, në kampin madrilen, tashmë mund të marrim frymë më lirshëm, sepse Raul Asencio, ndonëse ka luajtur vetëm 4 ndeshje me skuadrën e parë të Realit, ka nisur të japë një garanci të jashtëzakonshme në qendër të mbrojtjes, e duke bërë në këtë mënyrë që të mos ndihet për asnjë moment mungesa e Militaos, apo edhe e David Alabas.
Në kushte si këto, duke marrë parasysh nivelin e performancave të djaloshit spanjoll, mediat e huaja bëjnë me dije se Real Madrid është duke diskutuar mundësinë për t’i ofruar futbollistit një kontratë të re. Marrëveshja aktuale e Asencios me Los Blancos përfundon në verën e 2026-tës, ndërsa së shpejti, parashikohet të paketohet një ujdi e re. Duke marrë parasysh parametrat, apo atë që ka shfaqur në fushën e lojës përgjatë kësaj kohe, Asencio konsiderohet një element shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Real Madrid dhe klubi kërkon ta blindojë me një kontratë të re, e duke e bllokuar kësisoj edhe prej ofertave që mund të vijnë nga jashtë.