Milot Rashica me shumë mundësi po zhvillon sezonin e tij të fundit te skuadra e Verder Bremenit, pjesë e të cilës është që nga janari i vitit 2018-të.
Në media është folur se disa skuadra të njohura europiane kanë shfaqur interes për sulmuesin kosovar, mirëpo sipas drejtorit sportiv të klubit gjerman, Frank Baumann, deri tani asnjë klub nuk ka bërë ndonjë ofertë konkrete për Rashican.
“Deri më tani, asnjë klub nuk ka dhënë ardhur me një ofertë konkrete, të cilët mund ta shqyrtonim. Unë pres që tregu i transferimeve të hapet më vonë për shkak të krizës, që ka mbërthyer klubet nga koronavirusi. Megjithatë, e di që Miloti gjendet në listat e skuadrave të mëdha” – ka thënë Bauman, i cili gjithsesi ka treguar se është në dijeni që Milotin e kërkojnë ekipe, që luajnë rregullisht në Champions League.
Ndër të tjera, drejtori i klubit gjerman tregoi se nuk dihet ende nëse Rashica do të jetë pjesë e kësaj skuadre edhe vitin e ardhshëm, duke lënë kështu çdo gjë të paqartë për të ardhmen e sulmuesit.
Ylli i kombëtares së Kosovës ka shfaqur cilësitë e jashtëzakonshme të një sulmuesi të denjë për klube shumë më gjigante se Verderi. Prej kohësh, skuadra si Lajpcig, Borusia Dortmund në Gjermani, Napoli në Itali dhe Liverpul e Aston Vila në Angli kanë treguar interes për shërbimet e tij.
Altin Lala, menaxheri i Rashicës dhe ish-mesfushori i kombëtares kuqezi ka lënë të kuptohet se Verder Bremen është gati ta lërë të lirë 23-vjeçarin në këmbim të ofertës më të mirë që do t’i vijë. Klauzola e shitjes së tij brenda Gjermanisë është 38 milionë euro, por kjo shifër mund të ulet në 15 milionë në rast se Verder zbret në Bundesliga 2. Talenti nga Vushtria ka shënuar 10 gola dhe ka dhuruar 5 asiste në 24 ndeshje zyrtare me ekipin nga Bremeni në këtë edicion futbollistik.