Rashica-Memushaj, ata që s’harrojnë golat as në fund të 2015-s

Sport

Rash

 

Në këtë fund të 2015-s janë dy legjionarë shqiptarë, që po mbajnë një farë vijueshmërie sa i takon golave. Njëri luan në Eredivise të Holandës, tjetri në inferiorët e Italisë. I pari, Milot Rashica, është pjesë e Shpresës kuqezi, kurse tjetri Ledjan Memushaj është i Kombëtares.  Duken shumë ndryshe, por një gjë i bashkon: në dy javët e fundit kanë shënuar gola pa u ndalur.

Më shumë ia ka dalë të realizojë Milot Rashica, i cili pas atij që solli barazimin Viteses ndaj Herakles, fundjavën që lamë pas ia dolin të shënojë plot dy herë në fitoren 5-1 ndaj Tëentes. Jo vetëm kaq, por ishte një protagonist i padiskutuar, aq sa në fund të ndeshjes iu dha vlerësimi si futbollisti më i dalluar. Ndërkohë që është përfshirë edhe në formacionin më të mirë të javës në Holandë, duke qenë një nga lojtarët me notën më të lartë të vlerësimit 9.5. Nëse do të vazhdojë nën ritmin e golave, do të jetë e vështirë që De Biasi të mos ia rrëmbejë Jupit, për ta pasur me vete në Francë 2016, 20-vjecarin autor të 6 golave në 17 javë.

Në të njëjtën kuotë gjendet edhe Memushaj, i cili megjithatë një pjesë të mirë i ka realizuar prej 11-metrave, ashtu siç bëri në ndeshjen e fundit ndaj Lancianos. Sidoqoftë, po e tregon veten si një lidër i vërtetë te Peskara, duke qenë praktikisht ndër pjesëtarët më në formë të Kombëtares kuqezi. Golat e tij kanë gjithmonë e më shumë peshë për rezultatet e Peskarës, ashtu si edhe paraqitjet e tij. Ndërkohë që si rrjedhojë mund të ketë edhe dashamirës që do të shtohen në janar. Megjithëse ai ka deklaruar që të paktën këtë sezon që të çon drejt Europianit, dëshiron ta mbyllë te Pescara.