Rashica drejt Dortmundit? E konfirmon Altin Lala…

Sport

Jo vetëm me golat, por edhe me paraqitjet e tij, Milot Rashica është kthyer në një nga pikat kyrce të Verder Bremenit në Bundesligë. Nëse do të vazhdojë me këto ritme nuk përjashtohet që lojtari i përfaqësueses kosovare të bëjë kërcimin e madh drejt një skuadre si Borusia e Dortmundit. Vetë menaxheri i tij, Altin Lala, duke folur për mediat gjermane, ka konfirmuar faktin se Rashica synon të largohet nga Bremeni, megjithëse klubi do t’i rinovojë kontratën deri në 2022-shin.


“Rashica s’është një ndër futbollistët më të paguar të Verderit. Ai gjendet në një klub fantastik, sa i takon qëllimit për t’u rritur si lojtar. Miloti ka edhe 3 vjet kontratë, por ka ardhur koha që të hedhë një tjetër hap të rëndësishëm në karrierë. Natyrisht nëse ikën, dikush do të duhet ta paguajë Verderin”, shpjegoi Lala. Një nga klubet që thuhet se ka mbetur i impresionuar nga kosovari është pikërisht Dortmundi. Një skuadër kjo, të cilës Rashica i shënoi gjatë javës së fundit të kampionatit, duke e ndihmuar Verderin që të marrë një barazim 2-2 tepër të vyer.