Rashford rikthehet në stërvitje, por Ten Hag ka arsye të shqetësohet

Sport

Marcus Rashford ka nisur prosesin e rikuperimit. Sulmuesi i Manchester United është rikthyer sërish në stërvitje, ndonëse me program të reduktuar. Në ndeshjen e fundit të djajve të kuq, atë ndaj Fulham, britaniku pësoi një dëmtim në shputën e këmbës, çka e detyroi atë të tërhiqej nga ndeshjet kualifikuese të Anglisë për Euro 2024.

Gjithësesi, lëndimi nuk ka qenë aq shumë serioz. Sikurse raporton klubi i United në kanalin zyrtar, lojtari në fjalë ka nisur nga puna për t’u rikthyer sërish në fushë.

Megjithatë, trajneri Erik ten Hag ka arsye të shqetësohet, sepse ndonëse është rikthyer në stërvitje, Rashford vijon të jetë në luftë me kohën. Aktivizimi i tij për ndeshjen e radhës të United në Premier League, mbetet ende në dyshim.

Në javën e 29 të kampionatit, të kuqtë e Manchesterit, vizitojnë skuadrën e Neëcastle në fundjavë, një duel i drejtpërdrejtë ky për kualifikimin në Champions League. Rashford është golashënuesi më i mirë i United këtë edicion futbollistik.

27 golat e tij në të gjitha kompeticionet, e kanë dërguar skuadrën drejt rezultateve pozitive. Ten Hag e di shumë mirë këtë gjë dhe një mungesë e tij ndaj Neëcastle, padyshim që do të ishte një shqetësim më vete për trajnerin hollandez.

Sidoqoftë, deri atëherë, mbeten edhe disa ditë kohë në dispozicion, e mbetet për t’u parë nëse Rashford do të jetë gati për Ten Hag, apo 53 vjeçari do të jetë i detyruar ta përgatisë skuadrën, pa armën e saj më të fortë.