Raphael Varane mund të largohet nga Manchester United, madje që në merkaton e Janarit. Mediat britanike, por edhe më gjerë, shkruajnë se mundësia që mbrojtësi i qendrës që paketojë valixhet nga Old Trafford, është e madhe.
Klubi që ka treguar më tepër interes për francezin është Bayern Munich. Gjithnjë duke iu referuar informacioneve të para, United është kundër një huazimi të lojtarit në fjalë, por është i gatshëm të ulet në tavolinë dhe të dëgjojë oferta konkrete.
Kontrata e Varane me djajtë e kuq është e vlefshme deri në verën e 2025-tës, çka do të thotë se nga paketa aktuale kanë mbetur më pak se dy vite. Thënë këtë, për ta lënë të lirë lojtarin, United kërkon rreth 30 milionë euro, aq sa në fakt është edhe vlera reale e lojtarit në tregun e merkatos.
Mirëpo, për Bayernin, nuk parashikohet të jetë problem vlera e kartonit të ish-lojtarit të Real Madrid, por paga e tij. Në radhët e United, Varane paguhet 17 milionë euro në sezon, diçka që klubi bavarez mund të mos ia ofrojë dot. Gjithësesi, gjithçka mbetet e hapur dhe mundësia që palët të gjejnë një gjuhë të përbashkët, nuk përjashtohet.
Raphael Varane ka përfunduar në merkato, sepse ai nuk është më një zgjedhje e parë e trajnerit Erik ten Hag, i cili në vend të tij preferon të aktivizojë Jonny Evans, ose Harry Maguire. Për ta vërtetuar këtë gjë, mjafton të përmendim këtu se përgjatë këtij sezni futbollistik, 4 herë fituesi i Champions League ka luajtur vetëm një ndeshje si titullar në Premier League dhe kjo ka ndodhur në muajin Gusht.
Teksa mbi këtë çështje priten zhvillime të mëtejshme, nuk ka dyshim se një largim i mbrojtësit nga Manchester United, do ta dobësonte shumë skuadrën e Ten Hag për pjesën e dytë të sezonit në repartin e parpavijës, pasi alternativat do të ishin më të pakta.