Ramos nuk rinovon me Realin, kërkon 10 milionë euro në sezon

Sport

Ramos-Madrid 1
Shpresat e Manchester United për të transferuar Sergio Ramos-in, duket se janë ringjallur. Shtypi spanjoll raporton se 29-vjecari nuk ka pranuar ta rinovojë kontratën me “Los Blancos” kjo pasi kërkesat e tij për një pagë më të lartë nuk janë plotësuar.
Kapiteni i Realit thuhet të ketë kërkuar plot 10 milionë euro në sezon, ndërkohë që në bisedimet, që kanë pasur drejtuesit e klubit me agjentin e tij është ofruar një ripërtëritje kontrate me pagën e fiksuar në 8.5 milionë. Ofertë që sipas shtypit spanjoll është refuzuar.
Aktualisht Ramos ka një pagë prej 5.5 milionë eurosh neto, që falë kontratave paralele me Adidasin dhe sponsorë të tjerë kap shifrat e 12 milionëve në vit, por që si duket atij nuk i mjaftojnë. Te Reali, për sa i përket pagave, edhe pse është kapiten, Ramos paguhet shumë më pak sesa Toni Kroos apo Karim Benzema, pa llogaritur këtu Cristiano Ronaldon apo Gareth Bale-in. Kontrata aktuale e tij përfundon në vitin 2017-të.
Ndërkohë shtypi britanik raporton se Manchester United, që është interesuar për të prej kohësh, tanimë po sheh mundësinë për të bërë përpara me një ofertë konkrete. Telenovela e Sergio Ramosit, pra duket se do të vazhdojë edhe më tej.