Rama nuk garantoi ndihmë për futbollin, ja si përgjigjet Duka

Sport

“Mendoj se klubet e futbollit nuk kanë çfarë t’i kërkojnë qeverisë dhe arkës së shtetit. Ato deklarojnë paga të rreme sikur janë kompani të vogla dhe paguajnë paga të majme. Kështu që klubet e futbollit duhet të shikojnë se çfarë bëjnë klubet në vendet tjera”, ishte deklarata e kryeministrit shqiptar, Rama, që mbylli çdo mundësi për ndihmën e kërkuar nga ana e Federatës Shqiptare sa i takon klubeve.
Mbi këto fjalëv si dhe për situatën e krijuar në vend prej Coronavirusit, ka folur edhe Presidenti i FSHF, Armand Duka. Ai i bëri thirrje të parit të qeverisë që mos t’i lejojë klubet të deklarojnë paga të rreme. Veç kësaj i pari i institucionit të futbollit shqiptar tregoi për Report TV se si do procedohet. “Ne i kemi kërkuar Qeverisë një minimum jetik, për të mbijetuar. Është keqkuptuar kjo, nuk ka të bëjë me pasurimin e lojtarëve. Kemi lojtarë edhe në Kategoritë e tjera, si të Parë apo të Dytë. Nuk kemi kërkuar kontrata të plota, por një ndihmë bazë. Nëse ne i deklarojmë si fason, siç është shprehur, le të na japë aq sa një fason siç deklarojnë. A ka FSHF një plan për të ndihmuar futbollin? Është thuajse e pamundur që me ato buxhetë që ka Federata të ndihmojë në këtë situatë.”, ishte reagimi i kreut të futbollit tonë.
Ndër të tjera, Duka ka pranuar se në FSHF ka pasur dy raste me Covid, por që tani kanë rezultuar negativ. Teksa ka thënë se Federata është në kontakt të vazhdueshëm me futbollistët: “Kemi qenë në kontakt me aq sa kemi pasur mundësi. Veç lojrave dhe konkurseve online kemi pasur kontakte edhe individuale nëpërmjet telefonit. Kur do të kthehet të luhet? Do isha shumë i lumtur nëse do e dija… Kemi ndërtuar kalendarë që të marrim parsysh gjithë skenarët e mundshëm. Kemi 6 data të mundshme, por nëse do jenë të pamunduar do diskurojmë edhe me organizmin Europian. UEFA ka diskutuar edhe skenarët e mundshëm me futbollin që duhet të përfundojë në qershor. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë do të shohim mundësitë e tjera sepse nuk është në dorën tonë.”, ka treguar presidenti.