Rally-Dakar, Villas-Boas tërhiqet pas një aksidenti

Sport

Andre Villas Boas

Ish-trajneri i Tottenhamit dhe Chelsea-it, Andre Villas-Boas është tërhequr nga garat e Rally-Dakar që po zhvillohen në Amerikën e Jugut, kjo pasi në sesionin e katërt pësoi një aksident. 40-vjecari, i cili u dorëhoq nga posti i trajnerit të Shanghait në muajin nëntor, mori përsipër debutimin e tij në garat me makina, një pasjon i kahershëm i tij. Në sesionin e katërt që po zhvillohej në Peru, Villas-Boas ishte 2 orë e 18 minuta prapa kryesuesve, kur Toyota e tij u përplas në një dunë rëre. Sipas raportimeve të ndryshme, 40-vjecari portugez ka marrë lëndime në shpinë, por nuk ka pësuar fraktura. Ai u dërgua menjëherë në spital së bashku me bashkë-pilotin Ruben Faria. Përmes një postimi në instagram Andre siguroi se ishte mirë me shëndet, si ai edhe Rubeni. “Kapërcyem me shpejtësi një dunë dhe më pas përplasëm turirin e makinës, jemi mirë, por fatkeqësisht kampionati për ne mbyllet këtu” – njoftoi në postimin e tij 40-vjecari portugez. Për gazetën The Guardian është prononcuar drejtori teknik i skuadrës Toyota, Jean-Marc Fortin, i cili ka konfirmuar të njëjtat fjalë me Boas. Edicioni i 40-të i garave Rally-Dakar ka përfshirë pas 5 vitesh edhe njëherë Perunë me 14 sesione. Peruja është destinacioni i parë, më pas Bolivia dhe në fund Argjentina, me garat që përmbyllen më 20 janar. Peterhansel dhe Loeb vazhdojnë të jenë pretendentët ndërsa dunat e rërës kanë qenë problematike për shumë pilotë.