Rakitic kërkon më shumë minuta, ose do mendojë largimin

Sport

Ivan Rakitic nuk duket se është i kënaqur me kohën që po kalon në këtë fillim sezoni tek Barcelona. Mesfushori kroat duket se ka pakënaqësi sa i përket minutave prej titullari dhe deklaratat e tij të fundit janë parë si një kërcënim me largim ndaj drejtuesve të skuadrës katalanase. Gjatë verës Rakitic mendoi të fillonte një aventurë të re, pasi pa interesin e fortë të Interit, por drejtuesit e Barcelonës e bindën të qëndrojë duke i siguruar një rol prej protagonisti. Mirëpo ardhja e Frenkie de Jong dhe forma e shkëlqyer e Arthur Melo kanë komplikuar situatën për Rakitic në qendër të mesfushës, ku i duhet të konkurojë për formacionin titullar me një tjetër veteran si Sergi Busquets. Rakitic u shpreh në intervistën e fundit se dëshira e tij është që të respektojë edhe dy vitet e mbetura në kontratë e të vazhdojë të luajë për Barcelonën, që e cilësoi si klubin më të mirë në botë. Por nëse ai nuk ka minuta në këmbët e tij, atëherë ai do të shqyrtojë mundësitë për të luajtur diku tjetër.

“Barcelona është skuadra më e mirë në botë, por unë kam nevojë të luaj. Nuk jam këtu për të shëtitur në qytet apo për të shijuar plazhin, prandaj do e mendoj me kujdes të ardhmen.”

Rakitic tha se është i gatshëm të luftojë për të fituar formacionin titullar dhe e di se prezenca e shumë lojtarëve cilësorë e bën të vështirë edhe për trajnerin. Megjithatë, kroati është i bindur se ka ende shumë për të dhënë dhe këto deklarata të tij do të zgjojnë interesin e skuadrave europiane për të, në rast se tek Barcelona nuk i garantohet një rol prej protagonisti.