Paul Pogba është një nga lojtarët që Zinedine Zidane kërkon për Realin e sezonit të ardhshëm dhe pikërisht simpatia që kanë mes tyre dy francezët e ka bërë që ky spekulim të hamendësohet me baza të vërteta. Por në Angli për lojtarin më të shtrenjtë të të gjitha kohrave të Djajve të Kuq, thonë se 26-vjecari ka vënë një kusht për të qëndruar ose jo në Old Trafford. Më saktë, agjenti i tij Mino Raiola, kërkon që Pogba të kthehet në lojtarin më të paguar, në të kundërtën atë pagë që ai dëshiron, do të shohë nëse mund ta marrë në Santiago Bernabeu te Reali i Madridit. Gazeta angleze The Mirror shkruan se Pogba nuk pajtohet me faktin se Alexis Sanchez është më i paguari te United me 460 mijë paundë në javë, kjo edhe pse kontributi i tij ka qenë pothuajse minimal për skuadrën.
Me situatën ku kontrata aktuale e francezit ka edhe dy vite vlerë në të, Raiola duket se po synon të shfrytëzojë interesimet nga Madridi për t’i ushtruar trysni bordit drejtues për një kontratë edhe më të majme për Pogbanë. Prej kohësh është përfolur se 26-vjecari është një person mjaft i dhënë pas parasë dhe luksit, madje edhe ish-trajenri Jose Mourinho e ironizoi pak ditë më parë duke e adresuar me titullin “shkëlqesia e tij”, kjo pasi kishte treguar se si një ditë francezi e kishte ftuar portugezin që ta shoqëronte me Rolls Royce-in e tij.